Foto nga VCG

Fakti që as Kina dhe as ShBA-ja nuk synojnë të ndryshojnë njëra-tjetrën është një parakusht për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe duhet të shërbejë si garanci për bashkëjetesën paqësore midis dy vendeve në të ardhmen, tha këshilltari i Shtetit dhe ministri i jashtëm kinez Wang Yi të enjten.

Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, Wang i tha këto gjatë një bisede telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Duke përmendur samitin virtual ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të vet amerikan Joe Biden në nëntor të vitit të kaluar, kryediplomati kinez tha se ShBA-ja nuk i ka vënë në jetë ato që ka thënë Biden-i.

Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë ndërhyrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, të mos luajnë me zjarrin për çështjen e Tajvanit dhe të mos krijojnë "klika" të ndryshme kundër Kinës, theksoi ai.

Nga ana e tij, Blinken u shpreh se është e rëndësishme që të dy ministrat e jashtëm të kenë komunikim të rregullt, duke këmbëngulur se nuk ka ndryshim në qëndrimin e Biden-it të deklaruar gjatë samitit mes dy krerëve të shteteve.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të menaxhojnë dallimet me përgjegjësi, theksoi ai, duke shtuar se politika e “Një Kine” e Shteteve të Bashkuara mbetet e pandryshuar.

Shtetet e Bashkuara do të brohorasin për sportistët e vet që marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit dhe do t'i urojnë popullit kinez një Festë Pranvere të lumtur, tha ai. (Artan/Fani)