Në fjalimin e mbajtur të martën në videosamitin me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e 5 vendeve të Azisë Qendrore, presidenti kinez Xi Jinping paraqiti pesë propozime për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh. Si rezultati më i rëndësishëm i samitit, dy palët shpallën krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta Kinë-Azi Qendrore, duke hapur epokën e re të marrëdhënieve mes tyre.

Kazakistani, Kirgizistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani janë vende të rëndësishme fqinje në perëndim të Kinës. Para 30 vjetëve, Kina vendosi marrëdhënie diplomatike me këto pesë vende, dhe pastaj krijoi një pas një marrëdhënie të partneritetit strategjik me to për të goditur së bashku terrorizmin, separatizmin dhe ekstremizmin, duke zhvilluar bashkëpunimin praktik.

Gjatë 30 vjetëve të kaluar, vëllimi tregtar midis Kinës e pesë vendeve të Azisë Qendrore është rritur mbi 100 herë, ndërsa investimet kineze në këto vende i kaluan 14 miliardë dollarët. Këtë herë, pala kineze u shpreh se do të hapë tregun e vet gjigant ndaj vendeve të Azisë Qendrore, do të bëjë përpjekje për të ngritur vëllimin e tregtisë dypalëshe në 70 miliardë dollarë deri në vitin 2030, do të shpejtojë ndërtimin e hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan dhe do të nxitë ndërtimin e korridorit të transportit Kinë-Azi Qendrore. Këto masa do të forcojnë më tej bashkëpunimin praktik dypalësh.

Krahas kësaj, Kina u shpreh se këtë vit do t’u japë vendeve të Azisë Qendrore 50 milionë doza të vaksinave të COVID-19, në pesë vjetët e ardhshëm do t’u ofrojë 1200 bursa qeveritare dhe në tre vjetët e ardhshëm do t’u japë 500 milionë dollarë ndihmë falas. Në të ardhmen, Kina do t’u sjellë popujve të këtyre vendeve më shumë përfitime e lumturi. (Fani/Artan)