Foto nga VCG

Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kryetarin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach.

Gjatë takimit, Xi Jinping-u u shpreh se Olimpiada Dimërore e Pekinit ka fituar përkrahjen jo vetëm të popullit kinez, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë olimpiadë do të marrin pjesë rreth 3000 sportistë nga afro 90 vende e rajone. Olimpiada Dimërore e Pekinit është olimpiada me numrin më të madh të garave dhe medaljeve në histori dhe më shumë sportistë do të realizojnë ëndrrën e tyre në Pekin. Kina do t’u ofrojë të gjithë pjesëmarrësve pajisje e shërbime të përsosura dhe ka besim se do të garantojë sigurinë shëndetësore të personave përkatës e të popullit kinez.

Kreu i shtetit kinez theksoi më tej që gjatë paraqitjes së kërkesës për organizimin e Olimpiadës Dimërore të vitit 2022, Kina shpalli objektivin e nxitjes së 300 milionë kinezëve të marrin pjesë në sportet dimërore. Nëpërmjet përpjekjeve të palodhshme, tani ky objektiv është realizuar. Kina do të japë një kontribut më të madh për zhvillimin e lëvizjes olimpike.

Kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach i shprehu së pari popullit kinez urime për Vitin e Ri Kinez. Ai tha se nëpërmjet përpjekjeve të mëdha, punët përgatitore për Olimpiadën Dimërore të Pekinit kanë shkuar shumë mbarë dhe pajisjet e përsosura, masat e rrepta antiepidemike dhe koncepti i përparuar i administrimit janë të mahnitshme. Këtë herë shumë vende dërgojnë për herë të parë delegacione në Olimpiadën Dimërore të Pekinit, theksoi Bach, duke shtuar që kjo tregon se Olimpiada Dimërore e Pekinit ka gjetur përkrahjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare dhe se bashkësia ndërkombëtare e kundërshton gjerësisht politizimin e sporteve. (Fani)