Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 zhvilloi një videokonferencë shtypi të martën, ku paraqiti punët përgatitore të lojërave olimpike dhe iu përgjigj pyetjeve që kanë tërhequr vëmendjen e palëve.

Lidhur me gjendjen epidemike, Komiteti Organizator u shpreh që tani masat antiepidemike janë në zbatim të mbarë dhe gjendja është nën kontroll.

Duke folur për variantin “Omicron”, zv.drejtori i Zyrës Antiepidemike pranë Komitetit Organizator Huang Chun thotë që ata po i kushtojnë vëmendje të ngushtë.

“Është e vërtetë që ‘Omicron’-i po përhapet shumë shpejt në mbarë botën. Në disa krahina të vendit ka filluar përhapja e këtij virusi. Duke marrë parasysh gjendjen pas nisjes së ‘qarkut të vogël’ pas 4 janarit, masat antiepidemike që kemi hartuar më parë janë në zbatim të mbarë dhe gjendja e përgjithshme është nën kontroll. Ekipet mjekësore e antiepidemike dhe ekspertët përkatës po i kushtojnë vëmendje të vazhdueshme përhapjes dhe dëmeve të këtij virusi, duke bërë vlerësime të vazhdueshme mbi gjendjen epidemike,” theksoi Huang Chun.

Gjatë lojërave olimpike do të zbatohet me rigorozitet politika e menaxhimit të “qarkut të mbyllur” për personelin olimpik. Huang Chun theksoi që, nëse ndodh epidemi në grup brenda qarkut të mbyllur, do të bëhen rregullime dhe ndryshime të mëdha mbi masat e tanishme antiepidemike dhe programin e garave. Sipas tij, Komiteti Organizator do të bëjë të gjitha përpjekjet për të shmangur një gjë të tillë, por me ndryshimin e gjendjes epidemike, do të ruhet hapësira për ndryshimin e masave.

Pas 4 janarit, në disa objekte sportive të lojërave olimpike ka nisur menaxhimi me qark të mbyllur, si në Qendrën Kryesore të Mediave të Pekinit dhe Qendrën e Shtypit në Zhangjiakou. Drejtori i punëve të mediave pranë Komitetit Organizator, Xu Jicheng, bëri të ditur që deri tani mbi 9 media janë vendosur në Qendrën e Mediave dhe 1500 gazetarë e transmetues kanë mbërritur në Pekin, të cilat po bëjnë përgatitje teknike.

Transporti është një pjesë e rëndësishme në qarkun e mbyllur. Drejtori i transportit dhe logjistikës pranë Komitetit Organizator Wang Jiang thotë që Komiteti Organizator ka bërë plane të detajuara dhe përgatitje të hollësishme. Krahas kësaj, janë bërë shumë herë përgatitje urgjente për raste të mundshme.

Duke folur për mjekimin e të dëmtuarve, Huang Chun u shpreh që Pekini ka caktuar linjën e posaçme në sistemin e ndihmës urgjente të qytetit 120, me synim të përballohen raste të tilla urgjente. Rreth pallateve sportive janë vënë në përdorim ambulancat, të cilat mund të ofrojnë mjekim në kohë.

“Nëse ndodhin gjendje të rrezikshme, si pushimi i zemrës, punonjësit mund të japin ndihmë në kohën e parë, duke pritur ardhjen e ambulancës. Trajtimet do të jenë të shpejta dhe të garantohet siguria e të gjithë pjesëmarrësve,” tha Huang Chun. (Jiang Lei)