Foto nga VCG

Treguesi zyrtar i çmimeve të prodhimit (PPI) i Kinës në dhjetor u rrit 10.3 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2020, nga rritja prej 12.9 % në nëntor, sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave të publikuara të mërkurën.

Shifra ishte më e ulët se parashikimet e “Bloomberg”-ut dhe “Reuters”-it për rritje përkatësisht 11.3 % dhe 11.1 %.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, ulja e ritmeve të rritjes së PPI-së ishte për shkak të masave për të mbajtur nën kontroll çmimet e larta të lëndëve të para dhe rënies së çmimeve të mallrave kryesore, përfshirë naftën.

Ndërkohë, Treguesi i Çmimeve të Konsumit (CPI) i Kinës, një matës kryesor i inflacionit, në dhjetor ishte 1.5 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2020, krahasuar me një rritje prej 2.3 për qind në nëntor, për shkak të kostos më të ulët të ushqimeve.

Shifra ishte nën parashikimet e ekonomistëve të “Bloomberg”-ut dhe “Reuters”-it – përkatësisht 1.7 për qind dhe 1.8 për qind. (Artan/Fani)