Foto: VCG

Foto: VCG

Qendra e Parandalimit dhe e Kontrollit të Epidemisë së COVID-19 e Tianjin-it bëri të ditur që, nga ora 6 pasdite e së premtes deri në orën 9 të mbrëmjes së të shtunës, janë njoftuar infektime në distriktin Jinnan të këtij qyteti dhe janë konfirmuar dy raste vendore infektimi nga varianti “Omicron”.

Deri tani ende nuk është konfirmuar nëse infektimet janë të lidhura me rastet me burim nga jashtë të infektimit me variantin “Omicron” në këtë qytet të Kinës Veriore, me popullsi prej afro 14 milionë banorësh.

Testimet nukleike në këtë qytet parashikohet që të mbarojnë brenda 24 orësh në 4 distrikte nga ora 7 e mëngjesit të së dielës dhe nga ora 7 e mëngjesit të së hënës në 12 distriktet e tjera, dhe qytetarët do të marrin kodin e gjelbër vetëm kur të marrin rezultatin negativ nga testimi nukleik.

Të shtunën bashkia e Tianjinit i këshilloi qytetarët që të mos largohen për arsye të panevojshme nga qyteti.

Shpërthimi i epidemisë në Tianjin përbën rrezik për Pekinin dhe lojërat dimërore olimpike, sepse shumë njerëz punojnë e jetojnë dhe lëvizin çdo ditë mes këtyre dy qyteteve.

Tani, në pjesën kontinentale të Kinës, numri i rasteve të konfirmuara të prekjes nga COVID-19 është 103 619, dhe i vdekjeve 4 636, qysh nga janari 2021.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës bëri të ditur të shtunën që në Kinë janë vaksinuar mbi 1.21 miliardë veta, 86.25 % e popullsisë së përgjithshme. (Jiang Lei)