Foto: VCG

Foto: VCG

Më 8 janar, pas afro 2 orësh, astronautët në anijen kozmike "Shenzhou-13", me koordinimin nga teknikët në Tokë dhe me telekomandim manual nga stacioni hapësinor i Kinës, kryen me sukses lidhjen eksperimentale mes anijes kozmike të mallrave “Tianzhou-2” dhe stacionit hapësinor.

Telekomandimi manual filloi në orën 7:55. Astraunautët e drejtuan me operim manual anijen në pikën e "ankorimit". Pas një ndalese të shkurtër, ata e drejtuan anijen e mallrave të bënte një takim dhe lidhje të saktë me stacionin hapësinor. Ndihmësdrejtori i Zyrës së Projektit Hapësinor me Astronautë, Ji Qiming, u shpreh që kjo është hera e parë që astronautët kryejnë në orbitë operim manual me saktësi të lartë dhe i gjithë procesi shkoi shumë mbarë.

“Telekomandimi manual nga astronautët është një mënyrë rezervë për pritjen e anijeve kozmike në stacionin hapësinor. Në gjendje normale, do të përdoret lidhja automatike. Kjo që bëmë sot ka provuar teknikën tonë në këtë drejtim dhe ka rëndësi të madhe për qëndrueshmërinë e lidhjes hapësinore në të ardhmen,” thotë Ji Qiming.

Zv.projektuesi i Qendrës së Trajnimit të Astronautëve të Kinës Zhang Xiang u shpreh: “Në të kaluarën, astronautët qëndronin në anijen kozmike, duke drejtuar me dorë lidhjen me objektin e planifikuar. Ndërsa tani, me telekomandim, astronautët qëndrojnë brenda stacionit hapësinor, kontrollojnë prej andej anijet kozmike që vijnë dhe rregullojnë vendndodhjen e tyre, duke kryer lidhjen me stacionin hapësinor.”

Foto: VCG

Foto: VCG

Asistentkërkuesja në Qendrën e Trajnimit të Astronautëve të Kinës, Xu Xiaojing, thotë që, në fakt, para kësaj prove në kozmos, janë bërë mjaft përgatitje në Tokë, të cilat janë më të vështira se në hapësirë.

“Me stërvitjen më të vështirë në Tokë, do të përballohet më thjesht gjendja në hapësirë. P. sh., vonesa e komandimit ka ndikim në këtë proces. Kjo mund të përcaktohet në provë me kohëzgjatje të ndryshme. Krahas kësaj, edhe largësia mes anijeve mund të përcaktohet nga ne gjatë provave. Për shembull, shmangia gjatë lidhjes normale është shumë e vogël, por nga Toka mund të caktohet të jetë disa metra. Kështu që mund të imitojmë një gjendje të vështirë gjatë stërvitjes”.

Suksesi i kësaj prove ka dëshmuar në mënyrë fillestare që telekomandimi manual dhe koordinimi mes Tokës e hapësirës për lidhjen e anijeve kozmike dhe stacionit hapësinor është e arsyeshme dhe e arritshme. (Jiang Lei)