Foto:VCG

Foto:VCG

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres theksoi të hënën nevojën për të riformuluar një konsensus global rreth bashkëpunimit të kërkuar për të garantuar sigurinë kolektive.

"Siguria jonë kolektive kërkon që ne të shfrytëzojmë çdo moment për të krijuar një kuptim të përbashkët të kërcënimeve dhe sfidave përpara nesh dhe më e rëndësishmja, për të formuar përgjigje të bashkuara ndaj tyre",- tha ai në një konferencë të Këshillit të Sigurimit mbi promovimin e sigurisë së përbashkët përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

"Siç e bën të qartë fokusi i këtij takimi, rruga drejt paqes është farkëtuar nga dialogu dhe bashkëpunimi",- tha ai.

Sipas Guterres, Këshilli i Sigurimit përfaqëson një pjesë jetike të procesit të paqes dhe parandalimit, por sistemi i sotëm i sigurisë kolektive po testohet si kurrë më parë, citon “Xinhua”.

"Bota jonë është e përçarë nga ndasitë gjeopolitike, konfliktet dhe paqëndrueshmëria. Nga grushtet e shtetit në konfliktet ndërshtetërore, pushtimet dhe luftërat që shtrihen vit pas viti. Dallimet e vazhdueshme midis fuqive të mëdha botërore, duke përfshirë këtë këshill, vazhdojnë të kufizojnë aftësinë për t'u përgjigjur kolektivisht",- tha ai.

Guterres theksoi propozimin e tij për një Agjendë të Re për Paqen, që eksploron mjetet diplomatike të kartës së OKB-së për t'u dhënë fund konflikteve.

“Vendet me armë bërthamore duhet të angazhohen për mospërdorimin e tyre. Është e nevojshme që të gjitha shtetet të riangazhohen për një botë pa armë bërthamore dhe të mos kursejnë asnjë përpjekje për të ardhur në tryezën e negociatave për të lehtësuar tensionet dhe për t'i dhënë fund garës së armëve bërthamore, njëherë e përgjithmonë”,- tha Guterres. (Elona)