Konserva mishi me çmim 3.99 dollarë të futura në kuti antivjedhje? Në disa dyqane shkuan katër vjedhës të ndryshëm brenda një nate? ... Këto gjëra në dukje të pabesueshme kanë ndodhur në qytetin më të madh të ShBA-së, Nju-Jork. Sipas njoftimeve të mediave vendore, kohët e fundit krimet e vjedhjes në Nju-Jork janë rritur shumë. Disa supermarkete dhe qendra tregtare janë detyruar që të marrin masa vetëmbrojtjeje, si për shembull, mallrat e lira, si konservat e mishit, pastat e dhëmbëve, sapunët etj., janë futur në kuti antivjedhje. Skena të tilla janë një mikrokozmos i krizës kombëtare të ShBA-së, theksohet në artikujt e mediave amerikane.

Tani kriza e kriminalitetit të lartë po përhapet në mbarë ShBA-në. Përveç rritjes së rasteve të vjedhjes, edhe dhuna me armë dhe krimet e urrejtjes po kthehen në makth për amerikanët. Sipas Radios Publike Kombëtare të ShBA-së (NPR), disa punonjës të "Wall Street"-it nuk dëshirojnë të kthehen në zyrë për shkak të krimit të shfrenuar, dhe ekzekutivët duhet t'i ndihmojnë ata të kapërcejnë këtë frikë psikologjike.

Kjo frikë psikologjike nuk është e pabazuar. Sipas "Raportit për kriminalitetin në ShBA të mesvitit 2022" të publikuar nga Këshilli për Drejtësi Penale, një organizatë jopartiake amerikane, në bazë të të dhënave statistikore prej 23 qyteteve në tërë ShBA-së në gjysmën e parë të vitit, rastet e vrasjeve janë rritur me 39 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Përveç kësaj, në 29 qytetet kryesore amerikane, krimet e plagosjes të rëndë dhe grabitjes u shtuan përkatësisht me 4% dhe 19%, krimet ndaj pasurisë u rritën 6 % dhe krimet e vjedhjes 20 %.

Presidenti amerikan Joe Biden publikoi në fillim të gushtit përmbajtjen konkrete të Planit "Amerikë më e Sigurt", duke deklaruar se do të jepen 37 miliardë dollarë amerikane në vitin financiar 2023 për të mbështetur sistemin ligjzbatues dhe programet e parandalimit të krimeve, me qëllim përmirësimin e sigurisë në zonat e banimit në mbarë ShBA-në. Megjithatë, pas publikimit të këtij plani, u ngritën dyshime për efektivitetin e tij. "New York Post" vuri në dukje se ky plan është thjesht një njoftim për shtyp i zbrazët, ashtu si politikat e tjera të Shtëpisë së Bardhë, që synojnë vetëm të tërheqin vëmendjen e njerëzve. (Xu Guang)