Foto nga VCG

Portugalia regjistroi një normë shtesë të vdekshmërisë prej 23.9 për qind në qershor, pothuajse katër herë mbi mesataren e Bashkimit Evropian (BE) prej 6.2 për qind, raportoi të mërkurën zyra e statistikave të BE-së, Eurostat.

Vdekshmëria shtesë është përqindja e vdekjeve shtesë në krahasim me mesataren mujore të vdekjeve midis viteve 2016 dhe 2019, periudhës para pandemisë Covid 19. Portugalia ka regjistruar një rritje progresive të vdekshmërisë shtesë që nga janari 2021, një trend në kundërshtim me situatën në vendet e tjera të BE-së, përcjell “Xinhua”.

Ministria portugeze e Shëndetësisë tha javën e kaluar se ishte duke përgatitur një studim të thelluar mbi tejkalimet më të fundit të vdekshmërisë në vend, që përkoi me pandeminë dhe nxehtësinë ekstreme të kësaj vere.

Mediat lokale raportuan më herët se 659 njerëz në Portugali vdiqën nga sëmundjet e lidhura me nxehtësinë gjatë javës nga 10 deri më 16 korrik. (Elona)