Foto nga VCG

Indeksi i Çmimeve të Konsumit të Britanisë (CPI) arriti në 10.1 në korrik, niveli më i lartë në 40 vjet, sipas statistikave zyrtare të publikuara të mërkurën. Norma e fundit e inflacionit ishte një rritje e mëtejshme nga 9.4 për qind në qershor dhe tejkaloi parashikimin e ekonomistëve prej 9.8 për qind, bën të ditur “Xinhua”. Në bazë mujore, CPI gjithashtu u rrit me 0.6 për qind në korrik.

"Një gamë e gjerë rritjesh të çmimeve e çoi inflacionin përsëri në rritje këtë muaj. Çmimet e ushqimeve u rritën dukshëm, veçanërisht produktet e bukës, qumështi, mishi dhe perimet, gjë që u reflektua gjithashtu në çmime më të larta",- tha Grant Fitzner, kryeekonomist i Zyrës për Statistikat Kombëtare.

Çmimet për artikujt kryesorë, si ushqimi për kafshët shtëpiake dhe deodorantët, paketat e pushimeve dhe biletat e fluturimit gjithashtu u rritën, vazhdoi Fitzner.

Të dhënat treguan se çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me një normë vjetore prej 12.7 për qind në korrik, nga 9.8 për qind në qershor, ndërsa norma vjetore e rritjes për argëtimin dhe kulturën ishte 5.6 për qind në korrik, nga 4.8 për qind në qershor.

Për të luftuar inflacionin në rritje, Banka e Anglisë ka rritur normat e interesit gjashtë herë radhazi që nga dhjetori i vitit të kaluar, duke e çuar normën e saj të interesit në 1.75 për qind, niveli më i lartë në 13 vjet. (Elona)