Foto nga VCG

Ukraina ngriti një qendër krize për t'u marrë me situatën e mundshme emergjente në termocentralin bërthamor të Zaporizhia (NPP) në Ukrainën jugore, njoftoi të mërkurën agjencia e lajmeve “Ukrinform” e drejtuar nga qeveria, duke cituar ministrin e Energjisë së vendit, Herman Galushchenko. Shtabi i krizës, që u krijua në bazën e operatorit shtetëror të energjisë bërthamore të Ukrainës, “Energoatom”, do të punojë gjatë gjithë orarit për të monitoruar situatën në central, citon “Xinhua”.

Organi i ri qeveritar do të përfshijë përfaqësues të ministrive, departamenteve dhe institucioneve të Ukrainës, tha Galushchenko.

Javën e kaluar, Ukraina dhe Rusia shkëmbyen akuza për një goditje në termocentralin Zaporizhia, i cili është një nga komplekset më të mëdha të energjisë atomike në Evropë dhe prodhon një të katërtën e totalit të energjisë elektrike të Ukrainës. Më 11 gusht, Ukraina bëri thirrje për një mision ndërkombëtar në central nën udhëheqjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të vlerësuar kërcënimet ndaj sigurisë. (Elona)