Foto nga VCG

Masat e prezantuara nga qeveria spanjolle një javë më parë për të kursyer energji kanë çuar në një rënie prej 3.7 për qind të kërkesës për energji elektrike, tha të mërkurën ministrja e vendit për Tranzicionin Ekologjik dhe Sfidat Demografike, Teresa Ribera.

Masat kryesore kufizojnë ajrin e kondicionuar në vendet e punës, ndërtesat publike, dyqanet dhe qendrat tregtare në 27 gradë dhe 25 gradë në bare dhe restorante. Ndërkohë që nga ora 22:00 duhet të fiken dritat në objektet publike dhe në vitrinat, bën të ditur “Xinhua”.

Masat synojnë të ndihmojnë Spanjën të arrijë objektivin e Komisionit Evropian për të reduktuar konsumin e gazit me 7 për qind midis 1 gushtit dhe 31 marsit të vitit të ardhshëm.“Midis javës së parë dhe të dytë të gushtit, ne kemi parë një rënie prej 3.7 për qind të kërkesës për energji elektrike në vendin tonë (...) që mund t'ia atribuojmë një ndërgjegjësimi më të madh në shtëpi dhe kompani ndaj përdorimit të përgjegjshëm të energjisë ",- tha Ribera. "Përgjigjja ka qenë jashtëzakonisht pozitive",- vazhdoi ajo, duke shtuar se shoqëria duhet të bëjë një përpjekje për t'iu përgjigjur në mënyrë të bashkuar krizës energjetike.

Ribera theksoi se reduktimi i përdorimit të energjisë ka ndodhur në mes të valës së të nxehtit, duke treguar se në Spanjë tendenca është e qartë për sa i përket solidaritetit në sjellje dhe kuptimit të situatës.(Elona)