Ditët e fundit, Qendra Kombëtare e Trajtimit Urgjent të Viruseve Kompjuterike e Kinës dhe kompania kineze e trajtimit të viruseve kompjuterike “360” publikuan raporte studimore të veçanta, ku demaskohet një armë e sulmeve kibernetike e quajtur “FoxAcid”.

Sipas raporteve, “FoxAcid” është një platformë e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) të ShBA-së për sulme ndaj pikave të dobëta kibernetike. Thënë thjesht, kjo platformë, nëpërmjet nxitjes së pikave të dobëta në shfletues, fut virusë “trojanë” në kompjuter dhe vjedh informacionet. Institucionet kërkimore kineze janë ndër objektet kryesore të sulmit të saj.

Një ndër serverat e “FoxAcid”-it gjendet në Britani dhe kjo tregon se Britania e ShBA-ja po bashkëpunojnë në këtë sulm dhe do të ndajnë me njëra-tjetrën informacionet e vjedhura, sipas “Yuyuan Tantian”, një llogari në rrjetin social që komenton aktualitetet ndërkombëtare.

Kundrejt veprimeve të ShBA-së, drejtori i Drejtorisë së Kontrollit të Armëve pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Fu Cong tha se të gjitha vendet duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe rregullat ndërkombëtare si në botën reale, ashtu edhe në hapësirën kibernetike. ShBA-ja ka shkelur seriozisht rregullat ndërkombëtare të hapësirës kibernetike dhe një numër i vogël vendesh, me ShBA-në në krye, kanë krijuar një “rreth të vogël” mbi baza ideologjike dhe e kanë kthyer internetin në mjet për të plotësuar interesat e veta gjeopolitike. Këto veprime e kanë përçarë internetin.

Vitet e fundit, ShBA-ja ka shpejtuar nxitjen e operacionit “Hunt-forward”, i cili synon dislokimin e forcave ushtarake kibernetike rreth Kinës, me pretekstin e zhvillimit të të ashtuquajturit “bashkëpunimi i sigurisë kibernetike”, bëri të ditur Fu Cong. (Wang Lei/ Artan)