Foto nga VCG

Kompanisë farmaceutike britanike GSK i është dhënë një kontratë për prodhimin e vaksinës së parë të malaries në botë, në mënyrë që miliona fëmijë të mbrohen kundër sëmundjes vrasëse, njoftoi të martën Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF).

Çmimi historik, i vlerësuar deri në 170 milionë dollarë amerikanë, do të shërbejë për 18 milionë doza të vaksinës, të disponueshme gjatë tre viteve të ardhshme, duke shpëtuar potencialisht mijëra jetë të rinjsh çdo vit, citon “Xinhua”. Fëmijët nën pesë vjeç janë ende ndër më të rrezikuarit nga malaria. Në vitin 2020, gati gjysmë milioni djem dhe vajza vdiqën nga sëmundja vetëm në Afrikë, një normë prej një vdekjeje çdo minutë.

Etleva Kadilli, drejtore e Divizionit të Furnizimit të UNICEF-it, tha se prezantimi dërgon një mesazh të qartë për zhvilluesit e vaksinave kundër malaries që të vazhdojnë punën e tyre.

"Ne shpresojmë se ky është vetëm fillimi. Nevojitet risi e vazhdueshme për të zhvilluar vaksina të reja dhe të gjeneratës së ardhshme për të rritur furnizimin e disponueshëm dhe për të mundësuar një treg më të shëndetshëm vaksinash",- tha ajo.

"Ky është një hap gjigant përpara në përpjekjet tona kolektive për të shpëtuar jetët e fëmijëve dhe për të zvogëluar barrën e malaries si pjesë e programeve më të gjera të parandalimit dhe kontrollit të malaries",- shtoi ajo. Vaksina “RTS,S” e malaries, rezultat i 35 viteve të kërkimit dhe zhvillimit, është vaksina e parë kundër një sëmundjeje parazitare.

Në tetor të vitit të kaluar, agjencia shëndetësore e OKB-së rekomandoi përdorimin e saj të gjerë në vendet me transmetim të moderuar deri në të lartë të malaries. UNICEF pret që kërkesa për vaksinën e malaries do të jetë e lartë në vendet e prekura. (Elona)