Foto nga VCG

Valët e përsëritura të të nxehtit në Evropë po bëjnë që nivelet e ujit në lumin Ren të vazhdojnë të ulen, me një nivel rekord të ulët prej dy centimetrash të regjistruar në Emmerich, pranë kufirit të Gjermanisë me Holandën të hënën. Reshjet e pritura në ditët e ardhshme do të jenë shumë pak për të siguruar një lehtësim të qëndrueshëm të situatës në lumenjtë kryesorë, tha një zëdhënës i Institutit Federal Gjerman të Hidrologjisë (BfG) për “Xinhua”. Niveli i ujit në Kaub në Renin e Mesëm, ku lumi është më i cekët, aktualisht qëndron në 31 centimetra, që është e barabartë me një thellësi kanali prej vetëm 1.43 metrash. Për shumë lloje anijesh, 40 centimetra tashmë janë shumë të cekëta, sipas BfG.

Anijet dhe tragetet e mallrave dhe pasagjerëve po përballen me nivele të ulëta të ujit në rrugën ujore më të ngarkuar të Evropës. Anijet duhet të zvogëlojnë ngarkesën e tyre për të shmangur ngecjen në tokë, ndërkohë që shumë tragete nuk mund të funksionojnë fare. Kufizimet ka të ngjarë të mbeten në fuqi në javët e ardhshme, tha zëdhënësi.

Nëse nivelet e ujit në stacionin e monitorimit Kaub vazhdojnë nën pikën kritike prej 78 centimetrash për një periudhë prej 30 ditësh, prodhimi industrial i Gjermanisë do të bjerë me rreth 1 për qind, paralajmëroi Instituti Gjerman i Kielit për Ekonominë Botërore javën e kaluar.(Elona)