foto/VCG

foto/VCG

Një diplomat iranian deklaroi se propozimet e Bashkimit Europian për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 do të ishin të pranueshme vetëm nëse sigurohet përmbushja e kërkesave të Iranit, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “IRNA”, citon “Xinhua”.

Diplomati tha në kushte anonimiteti se Irani po shqyrton propozimet për të parë nëse ato kanë besueshmëri në përmbushjen e kërkesave të Iranit, duke përfshirë zgjidhjen e pretendimeve politike në lidhje me masat mbrojtëse të IAEA-së, heqjen e sanksioneve ndaj Iranit dhe garantimin e të gjitha palëve për të arritur një marrëveshje të mundshme në fund të negociatave bërthamore.

BE-ja paraqiti gjatë kësaj jave një tekst përfundimtar të projektvendimit për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore, i njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), ndërsa pret vendimet politike nga pjesëmarrësit në bisedimet e Vjenës.

Bisedimet filluan në prill 2021 në kryeqytetin austriak, por u pezulluan në mars për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis Teheranit dhe Uashingtonit zyrtar. Raundi i fundit i bisedimeve, i cili kishte filluar të enjten pas një ndërprerjeje prej pesë muajsh, përfundoi të hënën.

Irani nënshkroi JCPOA me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, ish-presidenti amerikan Donald Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet e njëanshme ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e tij sipas paktit. (Irma)