foto/VCG
Qytetarët gjermanë do të marrin mbështetje të mëtejshme shtetërore për shkak të inflacionit të lartë dhe rritjes së çmimeve të energjisë. Kancelari Olaf Scholz në një konferencë për shtyp, premtoi të bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar qytetarët të kalojnë këtë kohë të vështirë. Kancelari shpjegoi se paketa synon të përfshijë të gjitha grupet e popullsisë, citon “Xinhua”.
Inflacioni në Gjermani mbeti i lartë në 7.5 për qind në korrik, sipas Zyrës Federale të Statistikave (Destatis). Në maj, inflacioni në ekonominë më të madhe të Evropës arriti kulmin në 7.9 për qind, niveli më i lartë që nga kriza e parë e naftës në 1973-shin.
Me gjithë një efekt të lehtë në rënie nga masat e qeverisë, si bileta e lirë nëntë euro për transportin publik lokal dhe zbritja e çmimit të karburantit, arsyeja kryesore për inflacionin e lartë është rritja e çmimeve për produktet energjetike, tha Georg Thiel, president i “Destatis”.
Çmimet për produktet e energjisë në korrik u rritën me 35.5 për qind nga viti në vit, me çmimet e naftës për ngrohje më shumë se dyfishuar, tha “Destatis”. Ndërkohë, çmimet e gazit natyror u rritën me 75.1 për qind. Për t'u përgatitur për dimrin e ardhshëm, qeveria gjermane ka marrë masa për mbushjen e objekteve të depozitimit të gazit. Për të reduktuar konsumin e gazit, termocentraleve me qymyr të fortë iu dha leja të operonin përsëri për të zëvendësuar konsumin e gazit natyror në prodhimin e energjisë. (Irma)