foto/VCG

foto/VCG

Moska zyrtare u kërkoi vendeve perëndimore të kontribuojnë në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Stambollit, e cila përfshin eksportin e drithërave dhe plehrave ruse.

“Paketa e marrëveshjeve jo vetëm që lejon eksportin e grurit nga tre porte të Ukrainës, por gjithashtu përcakton promovimin e ushqimit dhe plehrave ruse në tregjet globale, gjë që nuk zbatohet”, tha Ivan Nechaev, zëvendësdrejtor i Departamentit të Informacionit dhe Shtypit në Ministrinë e Jashtme ruse, citon “Xinhua”.

“Ne presim që të gjitha dispozitat e marrëveshjeve të zbatohen plotësisht dhe vendet perëndimore do të krijojnë kushtet e nevojshme për aksesin e plehrave dhe ushqimeve ruse në tregjet globale”, -tha Nechaev.

Më 22 korrik, Rusia dhe Ukraina nënshkruan veçmas një dokument në Stamboll me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara mbi eksportet e grurit dhe plehrave nga Ukraina dhe Rusia. Dërgesa e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi filloi më 1 gusht.

“Fatkeqësisht, asnjë anije e vetme me grurë ukrainas nuk ka arritur ende në brigjet e Afrikës apo Azisë Jugore. Ata shkuan kryesisht në portet perëndimore”, -deklaroi Nechaev.

Sipas tij, ngarkesat përbëhen kryesisht nga vaj misri dhe luledielli, në vend të grurit, gjë që vë në pikëpyetje sinqeritetin e deklaratave perëndimore se siguria globale e ushqimit varet nga marrëveshja e Stambollit. (Irma)