Foto nga VCG

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi të martën protokollet për pranimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë në mes të konfliktit Rusi-Ukrainë. Ky ishte hapi i fundit për miratimin e tyre nga Shtetet e Bashkuara, raporton “CGTN”.

Senati i SHBA-së e mbështeti zgjerimin me një rezultat dërrmues 95-1 javën e kaluar, një shfaqje e rrallë e unitetit dypartiak në një SHBA të ndarë ashpër.

Senatorët demokratë dhe ata republikanë miratuan fuqimisht anëtarësimin për dy vendet nordike, duke i përshkruar ato si aleatë të rëndësishëm, ushtritë moderne të të cilave tashmë punojnë ngushtë me NATO-n.

30 aleatët e NATO-s nënshkruan protokollin e pranimit për Suedinë dhe Finlandën muajin e kaluar, duke i lejuar të bashkohen me aleancën sapo të gjitha vendet anëtare të ratifikojnë vendimin.

Aderimi duhet të ratifikohet nga parlamentet e të 30 anëtarëve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut përpara se Finlanda dhe Suedia të mbrohen nga Neni 5, klauzola e mbrojtjes, që thotë se një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve.

Ratifikimi mund të zgjasë deri në një vit, megjithëse pranimi është miratuar tashmë nga disa vende, përfshirë Kanadanë, Gjermaninë dhe Italinë. (Elona)