Foto:Visual People

Foto:Visual People

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi së fundmi Tajvanin e Kinës, duke mbajtur me guxim “flamurin e demokracisë" dhe duke pretenduar se "mbështet demokracinë". Por njerëzit në Tajvan e shohin këtë shumë qartë. Sipas njoftimeve të ditëve të fundit nga "China Times News Network" e Tajvanit, një sondazh në internet në ishull tregoi se më shumë se 75 % e banorëve të ishullit u shprehën se "nuk kishin besim" tek e ashtuquajtura mbështetje e Pelosit për "demokracinë e Tajvanit". Disa protestues në Tajvan theksuan se Pelosi erdhi aty "për interesat e saj, interesat e partisë politike të saj dhe interesat e ShBA-së".

Edhe amerikanët e dinë mirë këtë, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Në një konferencë shtypi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë të premten, një gazetar pyeti "nëse Pelosi duhet të jetë përgjegjëse për prishjen e marrëdhënieve kino-amerikane", dhe disa reporterë më pas vunë në dukje se vajtja e Pelosit në Tajvan "shkaktoi përshkallëzimin e situatës në ngushticën e Tajvanit”. Pavarësisht se sa ngurruese dhe e tronditur ishte zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, është e qartë se përgjigjja është “po”. Politikanët amerikanë si Pelosi duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për dëmtimin e sovranitetit dhe interesave të sigurisë të Kinës, për intensifikimin e tensioneve në ngushticën e Tajvanit dhe për përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Kinës e ShBA-së, dhe patjetër do të paguajnë çmim për to.

Vizita e Pelosit në Tajvan nuk është për mbrojtjen e “demokracisë”, por për nxitjen e ndarjes dhe nëpërkëmbjen e demokracisë. Çfarë është demokracia? Kuptimi origjinal i saj është që populli është zot i vendit. Për çështjen e Tajvanit, qëndrimi i popullit kinez më shumë se 1.4 miliardësh ka qenë gjithmonë i vendosur, duke mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar e integritetin territorial dhe duke mos lënë kurrë asnjë hapësirë për forcat e "pavarësisë së Tajvanit" të çfarëdo forme. Nëse Pelosi vërtet mbështet demokracinë, ajo duhet të respektojë aspiratën e përbashkët të popullit kinez, i cili përbën një të pestën e popullsisë së botës, vazhdon komenti i CMG-së.

ShBA-ja ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera në emër të demokracisë së rreme, duke shkaktuar shumë kriza. Me kalimin e viteve, nga Azia Qendrore në Afrikën e Veriut, nga Evropa Lindore në Amerikën Latine, "demokracia e stilit amerikan" ka shkatërruar shumë vende.

Kur Pelosi dhe të tjerët u shesin "demokraci" vendeve të tjera, a e kanë parë ndonjëherë situatën në ShBA? Të shtënat e vazhdueshme, epidemia e stërzgjatur e koronavirusit të ri dhe diskriminimi racial në rritje... të gjitha këto tregojnë hipokrizinë dhe rrënimin e "demokracisë amerikane".

Në komentin e CMG-së thuhet se flamuri i "demokracisë së stilit amerikan" është mbushur me vrima dhe pilula helmuese e "demokracisë" e paketuar me kujdes nga ShBA-ja është zbuluar prej kohësh. Ata politikanë amerikanë që e përdorin maskën e demokracisë vetëm për interesat e veta, do të likuidohen nga populli amerikan dhe bashkësia ndërkombëtare.