Foto nga VCG

Karvani i dytë i anijeve që transportonin grurë nga Ukraina mbërriti në brigjet e Stambollit, njoftoi Ministria Turke e Mbrojtjes.

“Navistar” me flamurin e Panamasë, i cili lundroi nga porti ukrainas i Odesës, me 33.000 tonë misër, me destinacion Irlandën, mbërriti në Stamboll pasditen e së shtunës.

Anija me flamur maltez “Rojen” dhe “Polarnet” me flamur turk lundruan nga porti Chornomorsk, me destinacion respektivisht Britaninë dhe Turqinë, mbërritën më vonë.

Sipas ministrisë, inspektimi në “Navistar” u krye nga një komitet i përbashkët specialistësh ndërsa dy anijet e tjera do të inspektohen më vonë.

Anijet kontrollohen për integritetin e ngarkesës së tyre përpara se të mund të lëvizin.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, bisedoi me homologun ukrainas Oleksii Reznikov dhe ministrin ukrainas të Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov në telefon për dërgesat e drithërave.

Anija e parë e ngarkuar me drithëra “Razoni” kaloi nëpër ngushticën e Bosforit të Stambollit më 3 gusht, duke shënuar eksportin e parë të madh të drithit ukrainas në tregjet ndërkombëtare pasi Turqia, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje historike të mbështetur nga OKB më 22 korrik.

Ukraina ka ende rreth 20 milionë tonë grurë në kapanone në pritje për dërgesë, sipas agjencisë shtetërore turke “Anadolu”. (Fatosi)