Foto nga VCG

Ndryshimet klimaterike dhe rritja e nivelit të detit paraqesin kërcënime afatgjata për ishujt e ulët të Fixhit, duke përfshirë nevojën për t'u zhvendosur dhe vdekjet gjatë fatkeqësive, bëri të ditur Banka Aziatike për Zhvillim (ADB), në raportin për monitorimin ekonomik të Paqësorit.

Në raportin e “ADB” thuhet se zonat e ulëta në Fixhi do të jenë gjithnjë e më të ndjeshme ndaj stuhive dhe përmbytjeve dhe përfundimisht mund të bëhen të papërshtatshme për vendbanim, duke detyruar mijëra njerëz të zhvendosen dhe duke rezultuar në humbje jetësh, bëri të ditur “Fiji Broadcasting Corporation”, citon “Xinhua”.

Sipas raportit të “ADB”-së, situata ka gjasa të përkeqësohet më tej nga një rritje e numrit dhe intensitetit të cikloneve. Po ashtu, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në popullsinë e Fixhit, do të ketë një kërcënim të përsëritur për sektorin e turizmit. Shkatërrimi i strukturave të biznesit dhe infrastrukturës publike do të ketë pasoja të rënda ekonomike.

Që nga viti 2016, katër ciklone tropikale të kategorisë 5 kanë goditur Fixhin, të cilët kanë rezultuar në një dëm kumulativ ekuivalent me 21.9 për qind të PBB-së së vendit.

Raporti parashikon se dëmet e shkaktuara nga ciklonet tropikale dhe përmbytjet gjithashtu përkthehen në një mesatare prej 25.700 personash që po shtyhen në varfëri çdo vit dhe kjo mund të rritet në një mesatare vjetore prej 32.400 njerëz të detyruar të shkojnë drejt varfërisë deri në vitin 2050.

Në raport thuhet dhe se temperaturat ekstreme dhe ndryshimet në reshjet e shiut do të ndikojnë në prodhimin bujqësor me pasoja serioze për sigurinë ushqimore dhe për familjet që varen nga të ardhurat bujqësore. (Irma)