Foto nga VCG

Marrëveshja e tregtisë së lirë për Partneritetin Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal (RCEP) do të jetë një kontribues kyç në strategjinë e rimëkëmbjes së Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), thuhet në një komunikatë të përbashkët të publikuar nga kryediplomatët e ASEAN, pas takimit të 55-të të ministrave të Jashtëm të ASEAN, të mbajtur në Kamboxhia, citon “Xinhua”.

Ministrat përshëndetën hyrjen në fuqi të RCEP-së nga 1 janari 2022.

“RCEP do të japë një kontribut të rëndësishëm në strategjinë tonë të rimëkëmbjes dhe do të vazhdojë të mbështesë një arkitekturë gjithëpërfshirëse dhe të hapur të tregtisë dhe investimeve në rajon”, -thuhet në komunikatë. Ministrat mirëpritën gjithashtu rezultatet e takimit të parë të Komitetit të Përbashkët të RCEP në prill, i cili diskutoi përgatitjen e zbatimit të RCEP, duke përfshirë krijimin e komiteteve për të monitoruar zbatimin e RCEP dhe miratimin e elementeve kyçe për krijimin e sekretariatit të RCEP.

RCEP përfshin 15 vende të Azisë-Paqësorit, duke përfshirë 10 shtete anëtare të ASEAN-it, Brunei, Kamboxhia, Indonezia, Laosi, Malajzia, Mianmari, Filipinet, Singapori, Tajlanda dhe Vietnami, dhe pesë partnerët e tyre tregtarë, përkatësisht Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re.

Pakti mega-rajonal do të eliminojë deri në 90 për qind të tarifave për mallrat e tregtuara midis nënshkruesve të tij gjatë 20 viteve të ardhshme. Duke qenë blloku më i madh tregtar në botë, RCEP krijoi një treg prej 2.2 miliardë personash, ose 30 për qind e popullsisë së botës me një PBB të kombinuar prej 26.2 trilionë dollarë amerikanë, që përfaqëson rreth 30 për qind të PBB-së globale dhe 28 për qind të tregtisë globale.

Sipas një studimi të Bankës Aziatike për Zhvillim, RCEP do të rrisë të ardhurat e ekonomive anëtare me 0.6 për qind deri në vitin 2030, duke shtuar 245 miliardë dollarë në vit në të ardhurat rajonale dhe 2.8 milionë vende pune në punësimin rajonal. (Irma)