Foto nga VCG

Disa rajone në Spanjë kanë vendosur kufizime në përdorimin e ujit pasi temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë lënë rezervuarët e vendit në pak më shumë se 40 për qind kapacitet.

Situata është më e rëndë në rajonet jugore dhe jugperëndimore të Spanjës, me rezervuarë në 29 për qind të kapacitetit, bën të ditur “Xinhua”.

Vendi është në valën e tretë të të nxehtit që nga mesi i qershorit dhe vera jashtëzakonisht e nxehtë nuk tregon asnjë shenjë përfundimi.

Agjencia Meteorologjike Spanjolle (AEMET) në fillim të kësaj jave parashikoi se gushti, shtatori dhe tetori ka të ngjarë të jenë më të nxehtë dhe më të thatë se mesatarja.

Qeveria rajonale në Katalonjë ka kufizuar përdorimin e ujit në 200 litra për person në ditë në 150 komuna të ndryshme.

Qeveria rajonale baske ka paralajmëruar gjithashtu se nëse nuk bie shi së shpejti, disa qytete përballen me kufizime në përdorimin e ujit gjatë natës, ndërsa ujitja e kopshteve, pastrimi i makinave dhe përdorime të tjera jo thelbësore të ujit janë ndaluar. (Irma)