Foto: VCG

Foto: VCG

Kryenegociatori bërthamor i Iranit, njëherësh zëvendësministër i Jashtëm, Ali Bagheri Kani, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të shfrytëzojnë mundësinë e një raundi të ri negociatash për të ringjallur marrëveshjen bërthamore iraniane.

“Barra bie mbi ata që shkelën marrëveshjen. SHBA duhet të shfrytëzojë mundësinë e ofruar nga bujaria e partnerëve të JCPOA. Topi është në fushën e tyre për të treguar pjekuri dhe për të vepruar me përgjegjësi”, -shkroi Bagheri Kani në “Twitter”, citon “Xinhua”.

Irani nënshkroi një marrëveshje bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin zyrtar nga marrëveshja në maj 2018 dhe rivendosi sanksionet e njëanshme ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e tij sipas paktit.

Bisedimet për ringjalljen e JCPOA filluan në prill 2021 në kryeqytetin austriak, Vjenë, por u pezulluan në mars të këtij viti për shkak të mosmarrëveshjeve politike Iran-SHBA. Bisedimet rifilluan në fund të qershorit në kryeqytetin e Katarit, Doha, por nuk arritën të zgjidhnin mosmarrëveshjet. (Irma)