Foto: VCG
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje se deri në dhjetor duhen rreth 123.7 milionë dollarë amerikanë, për t'iu përgjigjur nevojave urgjente shëndetësore të miliona njerëzve në Bririn e Afrikës, që përballen me një krizë akute ushqimore.
“Fondet do të shërbejnë për të mbështetur masave urgjente për të mbrojtur jetët, duke përfshirë forcimin e kapacitetit të vendeve për të zbuluar dhe reaguar ndaj shpërthimeve të sëmundjeve, sigurimin e ilaçeve dhe pajisje që shpëtojnë jetën, identifikimin dhe plotësimin e boshllëqeve në dispozitat e kujdesit shëndetësor dhe ofrimin e trajtimit për fëmijët e sëmurë dhe të kequshqyer rëndë”, -deklaroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, nga kryeqyteti kenian, Nairobi.
“OBSH kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që të mbështesë punën tonë në terren duke iu përgjigjur këtij kërcënimi të dyfishtë, duke ofruar trajtim për njerëzit e kequshqyer dhe duke i mbrojtur ata kundër sëmundjeve infektive”, -tha Tedros.
Sipas OBSH-së, më shumë se 80 milionë njerëz në shtatë vendet që përfshijnë rajonin, Xhibuti, Etiopia, Kenia, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani dhe Uganda, vlerësohet të kenë pasiguri ushqimore, me mbi 37.5 milionë njerëz të klasifikuar si në një fazë krize ku njerëzit duhet të shesin pasurinë e tyre për të ushqyer veten dhe familjet e tyre dhe ku kequshqyerja është e përhapur.
Rajoni i Bririt të Afrikës, i rrethuar nga konflikti, ndryshimet klimaterike dhe pandemia Covid-19, është bërë një pikë e nxehtë urie me pasoja shkatërruese për shëndetin dhe jetën e njerëzve të tij.
OBSH bëri të ditur se ka dhënë 16.5 milionë dollarë nga Fondi i saj i Kontingjentit për Emergjencat për të siguruar që njerëzit të kenë akses në shërbimet shëndetësore, të trajtojnë fëmijët e sëmurë me kequshqyerje të rëndë dhe të parandalojnë, zbulojnë dhe përgjigjen ndaj shpërthimeve të sëmundjeve infektive. (Irma)