Foto: VCG

Foto: VCG

Kultivimi i rrushit në Izrael, i cili vuan nga mungesa e ujit, dikur kërkonte sasi të mëdha uji. Por falë shpikjes së një sistemi inteligjent të ujitjes, tani është e mundur jo vetëm të kursehet uji, por edhe të menaxhohet cilësia dhe rendimenti i kësaj kulture bujqësore.

Në dekadat para shpikjes së teknologjisë së ujitjes inteligjente, fermerët izraelitë mbështeteshin kryesisht në përvojën e tyre për të vlerësuar kushtet dhe nevojën për ujë të kulturave të rrushit.

Por Yishai Netzer, një agronom izraelit nga universiteti “Ariel” dhe ekipi i tij hulumtues e kanë ndryshuar këtë duke shpikur një sistem digjital të ujitjes, që ka ndryshuar mënyrën e rritjes së rrushit për konsum dhe për prodhimin e verës.

Bazuar në një numër të madh sensorësh, që monitorojnë kulturat e rrushit, sistemi i lejon fermerët të dinë se sa ujë nevojitet për ujitje. Sensorët monitorojnë lagështinë, rrezatimin dhe shpejtësinë e erës, përveç ujit që u jepet kulturave.

Duke përdorur lizimetrat e rinj të kullimit, një lloj pajisje matëse, matet sasia e transpirimit të çliruar nga bimët. Kjo jep një kuptim të saktë se sa ujë u nevojitet bimëve.

Në serat dhe vreshtin e tij eksperimental, Netzer aktualisht po teston pesë regjime të ndryshme uji për të parë efektin e tyre. Të dhënat më pas mblidhen nga një kompjuter dhe analizohen nga studiuesit, së bashku me fermerët që kanë nevoja të ndryshme.

Nevojat e ndryshme kërkojnë dallime në sasinë e ujit. Sa më pak ujë të përdoret, aq më e stresuar konsiderohet bima. Për rrushin, megjithatë, stresi nuk është gjithmonë një gjë e keqe.

“Nëse doni të kultivoni shumë rrush, cilësia zakonisht do të rrezikohet dhe më pas do të përdorim më shumë ujë për ujitje”, - tha Netzer për “Xinhua”.

"Në zonat e verërave të cilësisë së lartë ne nuk duam shumë prodhim, ndaj stresojmë më shumë hardhinë. Cilësia e kulturës do të rritet, por sasia do të jetë mesatare”,- tha ai.

Sa më e lartë të jetë cilësia e rrushit, aq më e shtrenjtë do të jetë shishja e verës që ata prodhojnë, tha Netzer, duke cituar se sa më pak ujë të përdoret, aq më aromatike është fruta dhe aq më e thellë nuanca e ngjyrës së rrushit.

Sidomos për rrushin e verës, ky është një rezultat i dëshiruar. Menaxhimi i ujitjes sipas nevojave të sakta të kulturave të rrushit është ekonomikisht i dobishëm për fermerët.

Ndryshimi i klimës, që ka ndikuar në nivelet e reshjeve në të gjithë botën, ka një efekt në rritje edhe në bujqësi. Rrushi nuk përjashtohet nga kjo. Konsumi më i vogël i ujit për shkak të ujitjes precize mund të zbusë efektet e ndryshimit të klimës dhe ngrohjes globale, tha Netzer.

Netzer tha se të gjitha këto të dhëna të mbledhura nga hulumtimi i tij mund t'i lejojnë fermerët të "mashtrojnë bimën".

"Mund ta ndryshoni fiziologjinë e bimëve me ujitje në pikën e duhur",- shpjegoi ai. "Varet se çfarë do fermeri. Nëse ai do shumë rendimente, me ujitje ne bëjmë që hardhitë të kenë më pak etje dhe të kenë më shumë rendiment".

"Ka shumë vende në botë, si vendet tradicionale prodhuese të verës si Franca dhe Italia, ku ende përdorin mënyrat tradicionale për të ujitur. Por jeta po ndryshon dhe ato gjithashtu do të duhet të ndryshojnë",- tha ai.