Qeveria e përkohshme bullgare, e kryesuar nga Galab Donev, mori detyrën të martën, me angazhime kyçe, si organizimi i zgjedhjeve parlamentare më 2 tetor, bën të ditur “Xinhua”.

“Qeveria erdhi në pushtet në një kohë të vështirë, me rritje çmimesh, mungesë gazi dhe thellim të varfërisë. Në këtë sfond shqetësues, sfida juaj kryesore lidhet me sigurinë”, -deklaroi presidenti bullgar Rumen Radev.

Detyra kryesore e çdo qeverie të përkohshme është organizimi i zgjedhjeve, tha Radev, duke shtuar se është i bindur se qeveria e Donev do ta zgjidhë me sukses, siç bënë tri qeveritë e mëparshme.

Radev emëroi qeverinë e përkohshme pasi qeveria e koalicionit e udhëhequr nga Kiril Petkov u rrëzua me një votë mosbesimi më 22 qershor dhe partitë parlamentare nuk arritën të formojnë një kabinet të ri. Qeveria e Petkovit u zgjodh dhjetorin e kaluar pas tre zgjedhjeve parlamentare brenda tetë muajve. (Elona)