Foto:VCG

Foto:VCG

Presidenti i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe, u bëri thirrje partive politike që t'i bashkohen në krijimin e një qeverie gjithëpartiake që mund ta nxjerrë Sri Lankën nga kriza ekonomike.

Në dhënien e deklaratës së politikës së qeverisë pas hapjes ceremoniale të seancës së tretë të Parlamentit të 9-të, Wickremesinghe tha se tashmë ka nisur diskutimet me partitë politike për këtë çështje.

Ai tha se Sri Lanka duhet të modernizojë ekonominë e saj dhe se nuk duhet të varet më nga kreditë e huaja për të ruajtur ekonominë, citon “Xinhua”.

Kriza aktuale ekonomike është rezultat i mosbërjes së rregullimeve të nevojshme në ekonomi, tha ai, duke shtuar se Sri Lanka duhet të planifikojë për të ardhmen dhe do të formulohet një program kombëtar ekonomik për 25 vitet e ardhshme.

Wickremesinghe tha se ndërsa mungesat e karburantit do të vazhdojnë deri në fund të vitit, po ndërmerren hapa për të siguruar që të gjithë të kenë akses të drejtë në furnizimin me karburant.

“Problemet po pakësohen. Janë ndërmarrë hapa për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me gaz, ushqim dhe ilaçe”, -tha ai.

Sri Lanka mund të arrijë në një marrëveshje në nivel stafi me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) deri në fund të gushtit, tha ai. (Elona)