Foto: VCG

Foto: VCG

Korporata Shtetërore e Inxhinierisë së Ndërtimit të Kinës (CSCEC) filloi të dielën ndërtimin e strukturave kryesore të pesë kullave të banimit në qytetin e ri Alamein në bregun verior të Mesdheut të Egjiptit.

“Alamein Downtown Towers” është një tjetër projekt i rëndësishëm bashkëpunimi për zhvillimin e qytetit të ri midis Kinës dhe Egjiptit pas projektit të Qarkut Qendror të Biznesit (CBD) në kryeqendrën e re administrative të Egjiptit, përcjell “Xinhua”.

“Projekti “Iconic Tower” është një nga më të rëndësishmit nga të gjitha projektet Alamein”, -tha Chang Weicai, menaxher i përgjithshëm i “CSCEC Egjipt”, në një fjalim gjatë ceremonisë së nisjes. Ai theksoi se kompania do të vazhdojë të mbajë standardin e lartë në ndërtim dhe do të përpiqet të kontribuojë në ndërtimin e qytetit të ri.

Zhang Xiuchuan, menaxheri i projektit “Alamein Downtown Towers”, tha se kompania ka punësuar shumë inxhinierë dhe punëtorë vendas që nga fillimi i projektit, duke ofruar mundësi punësimi dhe duke sjellë përfitime ekonomike për vendasit.

Omar Hassan, një inxhinier i kontrollit të cilësisë së projektit, tha se ndihet me fat që ka mundësinë të marrë pjesë në këtë projekt, ku mund të mësojë gjëra të reja çdo ditë, punë që ka ndihmuar në përmirësimin e jetës së familjes së tij. Ai tha se projekti është një tjetër arritje e bashkëpunimit Kinë-Egjipt, i cili ka sjellë shumë mundësi zhvillimi për egjiptianët. (Irma)