Foto: VCG

Foto: VCG

Një ligjvënës iranian deklaroi se një raund i ri i bisedimeve mbi ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mund të mbahet së shpejti, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve “ISNA”, citon “Xinhua”.

“Duke pasur parasysh përpjekjet e palëve evropiane për të rifilluar bisedimet, kryenegociatori bërthamor i Iranit Ali Bagheri Kani la të kuptohet se raundi i ri i negociatave ndoshta do të mbahet në ditët në vijim”, -deklaroi Yaqoub Reza-Zadeh, anëtar i Komisionit për Siguri dhe Politikë të Jashtme në Parlamentin iranian.

Duke shpresuar për një marrëveshje të mirë në raundin e ri të mundshëm të bisedimeve, Reza-Zadeh vuri në dukje se Irani do të ecë me kujdes në përpjekjet e tij për të arritur një rezultat të pranueshëm si për popullin ashtu edhe për parlamentin.

Vendi mund të jetë ende Vjena, por ai vendimtar do të përcaktohet përfundimisht pas një marrëveshjeje mes palëve, tha ai.

Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin zyrtar nga marrëveshja në maj 2018 dhe rivendosi sanksionet e njëanshme ndaj Teheranit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e tij sipas paktit. Bisedimet për ringjalljen e JCPOA filluan në prill 2021 në kryeqytetin austriak, por u pezulluan në mars të këtij viti për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis Iranit dhe SHBA-së. Pas një pauze tremujore, bisedimet rifilluan në fund të qershorit në kryeqytetin e Katarit, Doha, por nuk arritën të zgjidhnin mosmarrëveshjet. (Irma)