Foto:VCG

Foto:VCG

Valët e jashtëzakonshme të të nxehtit kanë përfshirë pjesën më të madhe të Hemisferës Veriore për disa javë, ku moti me temperatura tepër të larta ka paralizuar infrastrukturën, ka dëmtuar prodhimin e ushqimit dhe ka kërcënuar sigurinë e energjisë.

Ekspertët paralajmërojnë se shfaqja e valëve ekstreme të të nxehtit në të gjithë botën njëkohësisht nuk është rastësi. Ndryshimi i klimës po i bën valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive, tha për “Xinhua” Chao Qingchen, drejtor dhe studiues i Qendrës Kombëtare të Klimës së Kinës.

Sipas tij, si një thirrje zgjimi për bashkëpunimin e gjelbër në ruajtjen e sigurisë së klimës, ushqimit dhe energjisë, ngjarjet ekstreme të motit nxjerrin në pah nevojën për përpjekje të përbashkëta globale për të ulur emetimet dhe për të kaluar në më shumë energji të rinovueshme.

Stephen Belcher, kryeshkencëtar në “MET”, shërbimi kombëtar britanik i motit, deklaroi se ndryshimet klimaterike janë përshpejtuar nga emetimet e gazeve serrë. Sipas tij, nëse bota vazhdon të emetojë gaze serrë në nivelet aktuale, valë të tilla të nxehtit ka të ngjarë të ndodhin më shpesh.

“Ndryshimet klimaterike të shkaktuara nga njerëzit po intensifikojnë valët e të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet”, -tha Richard Allan, profesor i shkencës klimaterike në Universitetin “Reading”. (Irma)