Foto: VCG

Foto: VCG

Sektori publik i Maltës është certifikuar i pari në Evropë për shërbimet elektronike qeveritare, njoftoi qeveria malteze, përcjell “Xinhua”.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e Kryeministrisë, u bë e ditur se Malta u rendit e para në “Raportet Benchmark të Qeverisjes Elektronike 2022”, të publikuar nga Komisioni Evropian.

Raporti analizon shërbimet qeveritare në internet të 35 vendeve evropiane. Malta mori një rezultat mesatar prej 96 për qind, e ndjekur nga Estonia me 90 për qind dhe Luksemburgu me 87 për qind.

Sektori publik maltez, i përbërë nga ministritë dhe departamentet e qeverisë, u rendit i pari në të gjitha kriteret, thuhet në deklaratë. Rezultati i Maltës ishte 28 për qind më i lartë se mesatarja.

Kreu i Shërbimit Publik, Tony Sultana, tha se ky rezultat vërteton nivelin e lartë të shërbimeve elektronike publike të ofruara në Maltë dhe angazhimin e të gjitha instancave.

Bashkimi Evropian studion çdo vit standardin për të përcaktuar se sa efektivisht administratat publike ofrojnë shërbimet e tyre duke përdorur mjete dhe kanale moderne digjitale. Raporti vlerëson ofrimin e shërbimeve elektronike të qeverisë në 35 vende në të gjithë Evropën, ku përveç 27 shteteve anëtare të BE-së, janë edhe Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. (Irma)