Foto: VCG

Foto: VCG

Portugalia po përjeton thatësirën më të keqe në historinë e vendit, pasi në qershor 67.9 për qind e territorit të saj ishte në thatësirë të rëndë, 28.4 për qind në thatësirë ekstreme dhe 3.7 për qind në thatësirë të moderuar, bëri të ditur Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA), citon “Xinhua”.

Sipas institutit, ky është viti më i thatë që nga fillimi i regjistrimit të thatësirave në vend, në vitin 1931.

Thatësira në Portugali filloi të intensifikohej afërsisht një vit më parë. Madje edhe në dimër, sipas IPMA-së, i gjithë territori kontinental i vendit ishte në thatësirë të madhe.

Pesë rrethe portugeze janë nën alarmin portokalli për thatësirën, i dyti më serioz në vendi, për shkak të temperaturave shumë të larta.

Autoriteti Kombëtar i Emergjencave dhe Mbrojtjes Civile (ANEPC) lëshoi një paralajmërim për rrezikun e zjarreve për shkak të niveleve të ulëta të lagështisë.

Për të garantuar furnizimin me ujë të popullatës, qeveria portugeze miratoi masa për të monitoruar dhe kufizuar përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë dhe ujitjes.

Qeveria vendosi gjithashtu të përforcojë akumulimin e ujit në rezervuarë dhe diga dhe të përmirësojë teknologjitë precize për të kursyer ujin në vaditje. (Irma)