Foto: VCG

Foto: VCG

Një sondazh i zhvilluar në Kaliforni, shteti më i populluar në Shtetet e Bashkuara, tregon se shumica e të anketuarve mendon se efektet e ndryshimeve klimaterike tashmë kanë filluar, citon “Xinhua”.

Sipas sondazhit mbarëkombëtar “Kalifornianët dhe mjedisi”, të botuar nga Instituti i Politikave Publike të Kalifornisë, gati shtatë në dhjetë të pyetur mendojnë se efektet e ndryshimit klimaterik tashmë kanë filluar, ndërsa tetë në dhjetë thonë se ndryshimi i klimës është ose një shqetësim kryesor për ta personalisht ose një nga disa shqetësime të rëndësishme.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se tetë në dhjetë persona thonë se ndryshimi i klimës është një kërcënim serioz për ekonominë e vendit dhe cilësinë e jetës. Rreth 66% e të pyeturve mendojnë se qeveria e shtetit duhet të bëjë politikat e veta, të ndara nga qeveria federale, për të trajtuar çështjen e ndryshimeve klimaterike. Rreth 55 për qind e të anketuarve mendon se kërcënimi i zjarreve është një problem tepër i madh në vend.

“Me Kaliforninë që po përballet me një sezon të rëndë thatësire dhe zjarresh, ndërgjegjësimi i publikut është rritur për ndikimin e ndryshimeve klimaterike si dhe politikat shtetërore për të reduktuar emetimet e gazeve serrë”, -vuri në dukje Instituti i Politikave Publike të Kalifornisë. (Irma)