Foto: VCG

Foto: VCG

Inflacioni arriti nivelet më të larta në gati katër dekada si në Francë dhe në Spanjë, treguan të dhënat nga statistikat. Indeksi vjetor i Çmimeve të Konsumit të Francës parashikohet të rritet me 6.1 për qind në korrik, më i larti që nga viti 1985, bëri të ditur Instituti Kombëtar Francez i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (INSEE), citon “Xinhua”.

Sipas INSEE, rritja e inflacionit duhet të rezultojë nga përshpejtimi i çmimeve të shërbimeve të lidhura me periudhën e verës, çmimet e ushqimeve dhe, në një masë më të vogël, çmimet e prodhimit.

Rritja e çmimeve ka të ngjarë të vazhdojë për disa kohë, sipas gazetës “Le Figaro”.

INSEE parashikoi një rritje vjetore të IÇK-së prej 5.5 për qind, ndërsa Banka e Francës priste inflacion prej 5.6 për qind këtë vit në projeksionet e saj të fundit makroekonomike.

Inflacioni spanjoll arriti nivelin më të lartë në 38 vjet, pasi u rrit në 10.8 për qind në korrik, duke u ngjitur nga niveli i qershorit prej 10.2 për qind, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Enti spanjoll i Statistikave (INE).

Pavarësisht rënies së çmimeve të karburanteve, inflacioni i vazhdueshëm ka ardhur si rezultat i rritjes së kostos së ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, si dhe rritjes së çmimit të veshjeve dhe këpucëve. Norma e inflacionit bazë, duke përjashtuar artikujt e paqëndrueshëm si kostot e energjisë dhe ushqimet, vazhdoi të rritet gjithashtu në Spanjë dhe arriti në 6.1 për qind në korrik, më e larta që nga janari 1993. Të dhënat paraprake të INE treguan gjithashtu se PBB-ja e Spanjës u rrit me 1.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit. (Irma)