Foto:Visual People

Foto:Visual People

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po hetojnë trazirat në Kapitol, më 6 janar 2021, një autor dhe analist politik amerikan zbuloi disa kërcënime sistematike për të ardhmen e demokracisë amerikane.

Rreziqet kryesore që minojnë demokracinë amerikane përfshijnë grushtet e shtetit ligjor, një ekosistem toksik informacioni, rënien e institucioneve autoritative dhe përhapjen e gjerë të kundër-mazhoritarizmit në sistemin politik, deklaroi studiuesi dhe analisti amerikan Darrell M. West, në një artikull të botuar nga instituti “Brookings” këtë javë.

Analisti politik i quajti papërsosmëritë në ligjet aktuale si "grusht shteti ligjor" në artikullin me titull "Trump nuk është i vetmi kërcënim për demokracinë", duke thënë se hetimet për pasojat e zgjedhjeve të vitit 2020 kanë zbuluar një sërë mundësish për grusht shteti ligjor.

Duke përmendur si boshllëqe ligjin e numërimit zgjedhor, deklaratat e emergjencës së pushtetit dhe ligjin e kryengritjes, eksperti tha se është e mundur që liderët të shfrytëzojnë mangësitë statutore dhe të fitojnë pushtetin nëpërmjet mekanizmave jodemokratikë. Ai gjithashtu tregoi se mjedisi aktual i informacionit në vend e bën të lehtë përhapjen e dezinformatave dhe propagandës së drejtpërdrejtë që shtrembëron përfaqësimin e votuesve dhe përgjegjësinë e udhëheqjes.

Për më tepër, sipas tij, organizatat e lajmeve, universitetet, organizatat jofitimprurëse dhe grupet e mendimit në Shtetet e Bashkuara janë nën sulm pasi ekspertët janë diskredituar.

“Ka kërcënime për lirinë akademike që e bëjnë të vështirë për profesorët transmetimin e njohurive te brezi i ardhshëm dhe i ndihmojnë studentët të mësojnë aftësi të vlefshme të arsyetimit kritik”, -tha West.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, autori tha se Shtetet e Bashkuara kanë një sistem politik që lejon grupe të vogla njerëzish të pengojnë veprimet e dëshiruara nga grupe të mëdha individësh. Eksperti tha se ky problem ndodh kur disa institucione të mbipërfaqësuara, si Senati, bëjnë që projektligjet e mbështetura nga një numër i madh votuesish të lëngojnë dhe t'i bëjnë votuesit cinikë ndaj mosveprimit të Kongresit.

“Ndalimi ose vonimi i veprimeve të kërkuara nga një numër i madh votuesish dobëson besimin e publikut në qeveri dhe zvogëlon besimin tek integriteti i sistemit politik”, -tha West. (Irma)