Foto: VCG

Foto: VCG

Përhapja e shpejtë e lisë së majmunëve mund të ndalet nëse vendet, komunitetet dhe individët i marrin seriozisht rreziqet dhe ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ndalur transmetimin dhe për të mbrojtur grupet e cenueshme, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, citon “China Daily”.

Tedros theksoi se mbi 18.000 raste të lisë së majmunëve janë raportuar globalisht, me më shumë se 70 për qind nga Evropa dhe 25 për qind nga Amerika. Deri tani, janë raportuar pesë vdekje dhe rreth 10 për qind e rasteve janë shtruar në spital për menaxhimin e dhimbjeve të shkaktuara nga sëmundja.

OBSH e shpalli linë e majmunëve një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar më 23 korrik.

Sipas OBSH-së, lija e majmunëve mund të shkaktojë një sërë shenjash dhe simptomash, duke përfshirë plagë të dhimbshme. Disa njerëz zhvilluan simptoma serioze që kanë nevojë për kujdes në një institucion shëndetësor. Ata me rrezik më të lartë të infeksionit përfshijnë gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me imunitet të kompromentuar.

Ekspertët rekomandojnë se mënyra më e mirë për të shmangur infektimin është zvogëlimi i rrezikut të ekspozimit.

OBSH-ja njoftoi se po punon me shtetet anëtare dhe BE-në për lançimin e vaksinave, për të përcaktuar një mekanizëm koordinues global. Ekspertët këshillojnë vaksinimin e synuar për ata që janë të ekspozuar ndaj dikujt me linë e majmunëve dhe për ata me rrezik të lartë ekspozimi.

Vendet që prodhojnë aktualisht vaksina janë Danimarka, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. OBSH aktualisht nuk rekomandon vaksinimin masiv kundër lisë së majmunëve. (Irma)