Foto: VCG

Foto: VCG

Kancelari austriak Karl Nehammer deklaroi se një embargo ndaj gazit rus në Bashkimin Evropian është e pamundur për shkak të varësisë së madhe të vendeve të BE-së nga energjia ruse.

Komentet e Nehammer erdhën pas një takimi me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Vjenë. Sipas agjencisë austriake të lajmeve “APA”, cituar nga “Xinhua”, Nehammer tha se varësia e Gjermanisë dhe Austrisë nga gazi rus e bën një embargo të BE-së të pamundur, pasi rënia e ekonomisë gjermane do të ndikonte gjithashtu në Austri dhe do të çonte në papunësi masive.

Të martën, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për një reduktim vullnetar prej 15 për qind të kërkesës për gaz natyror nga mesatarja e viteve 2017-2021, në përgatitje për ndërprerje të mundshme të furnizimit këtë dimër.

Në konferencën për shtyp, Nehammer kritikoi gjithashtu ngadalësinë e BE-së në krijimin e një mekanizmi të përbashkët të blerjes së energjisë.

“Një platformë e përbashkët energjetike është tani më e rëndësishme se kurrë për të shmangur konkurrencën midis vendeve të BE-së. Po shohim shumë njoftime nga Komisioni Evropian, por shumë pak zbatim”, -tha kancelari austriak. (Irma)