Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, hodhi poshtë raportin e SHBA-së kundër Kinës, duke thënë se ai është dezinformim politik i fabrikuar nga një pjesë e vogël e republikanëve të Senatit dhe krejtësisht i pabazuar, citon “Xinhua”.

Deklarata e Zhao u bë gjatë një konference shtypi, kur u pyet për të komentuar raportin e publikuar nga anëtarët e stafit republikanë të Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit amerikan.

Sipas tij, i ashtuquajturi raport thoshte se punonjësve të Rezervës Federale të SHBA-së iu ofruan kontrata me programet e rekrutimit të talenteve kineze dhe iu kërkua të jepnin informacion mbi ekonominë e SHBA-së, ndryshimet e normave të interesit dhe politika të tjera.

“Duket se disa politikanë amerikanë mund të vuajnë nga një kinofobi, ose mashtrim persekutues dhe shfaqin simptoma mjaft serioze. Vëmë re se Rezerva Federale u ka dërguar një letër senatorëve të interesuar, duke shprehur dyshime dhe pakënaqësi me përmbajtjen e raportit”, -tha Zhao, i cili theksoi se kjo tregon shumë për natyrën e këtij të ashtuquajturi raport. (Irma)