Foto:VCG

Foto:VCG

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e vlerësoi të mërkurën përurimin zyrtar të Qendrës së Përbashkët të Bashkërendimit (JCC) në Stamboll, si një "platformë që do të ndihmojë në funksionalizimin e Nismës së Drithërave të Detit të Zi".

Kreu i OKB-së i falënderoi Federatën Ruse dhe Ukrainën "për emërimin dhe dërgimin e shpejtë të përfaqësuesve të tyre të lartë në Stamboll", thuhet në një deklaratë të publikuar nga zëvendëszëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm.

Guterres-i nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet palëve për të zbatuar në mënyrë të efektshme Nismën e Drithërave të Detit të Zi, me synimin për të zbutur pasigurinë ushqimore globale.

"Puna e Qendrës së Përbashkët të Bashkërendimit do të mundësojë transportin e sigurt, nëpërmjet anijeve tregtare, të drithërave dhe të ushqimeve e artikujve ushqimorë të lidhura me to, nga tre portet kyç ukrainase në Detin e Zi për në pjesën tjetër të botës. Kjo do të ndihmojë për t'iu përgjigjur efektivisht dhe për të parandaluar pasigurinë ushqimore globale në rritje," thuhet në deklaratë.

Nisma e Drithërave e Detit të Zi, e nënshkruar të premten në Stamboll përkatësisht nga Rusia e Ukraina me Turqinë, nën kujdesin e OKB-së, do të mundësojë eksportimin e një vëllimi të konsiderueshëm të ushqimit dhe të plehrave ushqyese nga tre portet kryesore në Detin e Zi: Odesë, Çernomorsk dhe Juzhnij, vuri në dukje OKB-ja.