Në uebsajtin e gazetës britanike “The Guardian” u publikua të premten një artikull me titull “Çmimi i gazit natyror në ShBA rritet, shpresat për rënien e inflacionit shuhen”, ku thuhet se rritja e çmimit të gazit natyror shton gjithashtu koston e prodhimeve të tjera, duke shuar shpresat e qeverisë amerikane për “rënien e inflacionit shumë shpejt”.

[Foto:VCG]

[Foto:VCG]

Sipas artikullit, teksa miliona amerikanë kanë ndezur kondicionerët në valën e të nxehtit këtë verë, për shkak të konsumit të madh të energjisë, rrjeti i vjetër elektrik po përballet me presion të madh. Pritet që vapa të zgjasë deri në gusht, dhe ngarkesa e rrjetit do të rritë më shumë çmimet e gazit natyror dhe të qymyrit, duke shuar shpresat për rënien e inflacionit brenda një kohe të shkurtër. Muajin e fundit çmimi i gazit natyror në ShBA u rrit gati 50 %. Ndërsa këtë muaj çmimi i gazit natyror me kontratë me zbatim të ardhshëm u ngrit 48 për qind, duke u shtuar 10 për qind vetëm më datë 20.

Artikulli citon një raport të gazetës “The Wall Street Journal”, sipas të cilit rritja e çmimit të gazit natyror nxit ngritjen e çmimit të produkteve të çelikut, çimentos, plastikës dhe qelqit, duke çuar drejtpërdrejt në ngritjen e kostos së prodhimit të energjisë elektrike. Për shkak të thatësirës në perëndim të vendit, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet pritet të përgjysmohet në disa shtete të vendit. Disa kompani energjetike amerikane paralajmërojnë se sivjet çmimi i energjisë elektrike mund të rritet 25 për qind. (Li Huailiang/Artan)