Europa ne vale Covid (Foto Page2sports)

Europa ne vale Covid (Foto Page2sports)

Europa është përfshirë nga një valë e re Covid-19, pasi numri i infeksioneve të reja është trefishuar në gjashtë javë, njoftoi Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) me qendër në Stokholm, citon “Xinhua”.

Vala drejtohet kryesisht nga nënvariantet Omicron BA.4 dhe BA.5, të cilat tani përbëjnë 80 për qind të totalit të infeksioneve në Evropë, deklaroi për medien suedeze Agoritsa Baka, eksperte e lartë e ECDC-së.

Në javën e kaluar, afro 3 milionë raste të reja me Covid-19 u raportuan në rajonin evropian, që përbën gati gjysmën e të gjitha rasteve të reja në nivel global, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të martën në një njoftim për shtyp.

Raportohet se shtrimet në spital janë dyfishuar në Evropë gjatë javëve të fundit. Duke iu referuar statistikave të OBSH-së, media suedeze raportoi se rreth 3000 evropianë vdesin nga Covid çdo javë.

“Duke parë rritjen e numrit të viktiamve, ECDC del në përfundimin se masat pandemike mund të nevojiten përsëri, të tilla si kërkesat për mbajtjen e maskave në transportin publik dhe kufizime në tubime të mëdha”, -tha Baka.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se një nënvariant i ri, BA.2.75, mund të rrisë më tej numrin e infeksioneve. Pasi u përhap me shpejtësi në Indi, është zbuluar edhe në 15 vende të tjera, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën.

“Është shumë herët të thuhet nëse është më i rrezikshëm se nënvariantet aktuale. Nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të, për të qenë në gjendje të themi diçka tani. Por po e monitorojmë transmetimin e tij dhe po presim për më shumë të dhëna nga vendet ku qarkullon”, -deklaroi Baka. (Irma)