Kohët e fundit, gazeta amerikane "New York Times" botoi një artikull ku thuhet se qeveria amerikane po "nxjerr mësime" nga sanksionet ndaj Rusisë dhe synon të zgjerojë kufizimet e eksportit ndaj Kinës etj. për të parandaluar "kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të ShBA-së". Analistët janë të mendimit se Uashingtoni e konsideron Kinën si "armike imagjinare", duke zbatuar politika kufizuese, madje shtypëse, ndaj saj në shumë fusha, gjë që tregon shqetësimet e forta për rënien e ShBA-së.

Sipas "New York Times"-it, administrata e Biden-it vazhdon të ndjekë politikat e administratës së mëparshme dhe i përdor kufizimet ndaj eksportit si mënyrën kryesore për goditjen e kompanive kineze. Pas shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, megjithëse nuk janë zbuluar dëshmi të "përkrahjes së kompanive kineze ndaj Rusisë duke shmangur sanksionet e ShBA-së", qeveria amerikane përsëri i përfshiu më 28 qershor pesë kompani kineze në listën e zezë, për arsye të "përkrahjes ndaj ushtrisë ruse". Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Tregtisë, që nga janari i vitit 2021, 107 ndër 475 kompanitë e reja të huaja që u përfshinë në "Listën e subjekteve" të ShBA-së, janë nga Kina. (Fani/Artan)