Ministrja e Financave e Indonezisë Sri Mulyani Indrawati mbajti një fjalim gjatë Takimit të Ministrave të Financave të G20 në Nusa Dua në ishullin turistik indonezian të Balit më 15 korrik 2022. /CFP

Në takimin dyditor të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të Bankave Qendrore (FMCBG) të G20-s, në Bali të Indonezisë, u ra dakord për të konsoliduar bashkëpunimin për të trajtuar krizën në rritje të sigurisë ushqimore dhe sfidat e ndërlidhura, njofton “Xinhua”.

“Të gjithë drejtuesit e financave janë në një zë se kjo çështje e krizës ushqimore ka nevojë për një ndërhyrje serioze”, -tha ministrja indoneziane e Financave, Sri Mulyani Indrawati, në një konferencë për shtyp pas takimit.

Ajo theksoi se anëtarët e G20-s së bashku do të rregullojnë menjëherë zinxhirët e furnizimit, përmes një politike të përbashkët që lehtëson shpërndarjen e ushqimit nga sektori i prodhimit në vendet në nevojë.

Indrawati theksoi se të gjithë delegatët diskutuan strategjitë e rimëkëmbjes dhe efektet frikësuese të pandemisë Covid-19, si dhe çekuilibrin e ofertës dhe kërkesës dhe rritjen e çmimeve të mallrave dhe energjisë të shkaktuara nga pandemia dhe tensionet e fundit gjeopolitike.

Guvernatori i Bankës së Indonezisë, Perry Warjiyo, tha se guvernatorët e bankave qendrore të G20-s folën për inflacionin që po ndodh në mbarë botën, i shkaktuar nga rritja e çmimeve të mallrave dhe përgatitja për t'u përballur me një tjetër pandemi të mundshme në të ardhmen.

Ai nënvizoi rëndësinë e përqendrimit në zgjidhje dhe përhapjen e pozitivitetit në komunitetin global lidhur me përpjekjet për përshpejtimin e rimëkëmbjes globale.

Përveç ministrave të Financave dhe guvernatorëve të Bankave Qendrore të G20-s, në takim morën pjesë edhe zyrtarë të nivelit të lartë nga Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Shtetet e Bashkuara. (Fatosi)