Të gjitha palët duhet të nxjerrin mësime nga kriza në Ukrainë, tha këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi gjatë një bisede telefonike të dielën me homologun e vet hungarez Peter Szijjarto.

Szijjarto, me kërkesën e të cilit u zhvillua biseda, e vuri theksin në situatën e tanishme në Evropë dhe Hungari, veçanërisht mbi sfidat ekonomike dhe financiare me të cilat përballet vendi i tij për shkak të përhapjes së krizës në Ukrainë.

Ai tha se Hungaria është e kënaqur me arritjet nga bashkëpunimi në fusha të ndryshme me Kinën, veçanërisht për sa i përket përparimit të bashkëpunimit në fushën e tregtisë e të investimeve.

Duke vënë në dukje se kriza në Ukrainë jo vetëm që ka ndikuar rëndë mbi Evropën, por edhe ka pasur efekte negative të përhapjes në mbarë botën, Wang Yi tha se Kina është e përkushtuar për nxitjen e bisedimeve të paqes, edhe pse nuk është palë në krizën e Ukrainës.

Mësimet nga kriza janë të thella dhe ia vlen të nxirren nga të gjitha palët, vuri në dukje kreu i diplomacisë së Kinës, duke shtuar se, në perspektivë afatgjatë, palët duhet të diskutojnë për ndërtimin e një kuadri të sigurisë evropiane të balancuar, efektiv dhe të qëndrueshëm, për të realizuar paqen dhe sigurinë afatgjatë.

Në lidhje me marrëdhëniet kino-hungareze, Wang tha se Kina është e gatshme të punojë me Hungarinë për t'i shndërruar marrëdhëniet dypalëshe në një model të marrëdhënieve më të pjekura dhe të besimit të ndërsjellë ndërmjet shteteve. Ministri i Jashtëm i Kinës shtoi se vendi i tij do të vazhdojë të ndjekë një politikë miqësore ndaj Hungarisë dhe do të mbështesë investimet e kompanive kineze në Hungari.

Ai i bëri thirrje gjithashtu Hungarisë të bëjë përpjekje për ta nxitur BE-në të ndjekë një politikë pozitive dhe pragmatike ndaj Kinës.

Szijjarto theksoi nga ana e tij se Kina nuk ka qenë kurrë një rivale e Evropës, por një partnere që ofron mundësi bashkëpunimi.

Hungaria do të mbetet e përkushtuar për të promovuar bashkëpunimin BE-Kinë mbështetur në respektin e ndërsjellë, drejtësinë dhe përfitimet e përbashtëta, shtoi ministri i Jashtëm i Hungarisë.