Foto nga VCG

Një forum me synim promovimin e bashkëpunimit BE-Kinë për ndryshimet klimaterike u mbajt në zyrën përfaqësuese të Komisionit Evropian në Madrid.

Veprimtaria, e titulluar “Promovimi i bashkëpunimit BE-Kinë në fushën e Veprimit për Klimën, Financat e Qëndrueshme si një shtytës për ndryshimin”, kishte për qëllim të hapte një diskutim rreth mundësive për bashkëpunim midis BE-së dhe Kinës për të luftuar ndryshimet klimaterike, citon “Xinhua”.

Përfaqësuesit evropianë dhe kinezë të sektorit publik dhe privat shqyrtuan progresin në financat e gjelbra dhe diskutuan mënyrat për përparim të mëtejshëm.

“Kjo është një platformë e re, e cila do të sjellë shumë investime midis Kinës dhe Evropës”, -tha për “Xinhua” Margaret Chen, presidente e Klubit të Kinës në Spanjë, duke shtuar se edhe pse bota është në një moment të ndërlikuar, të gjithë duhet të ndihmojnë që ajo të funksionojë më mirë.

Augusto Soto, president i Trustit BE-Kinë, theksoi nevojën për besim në marrëdhëniet BE-Kinë, duke thënë se forumi kishte të bënte me financat e qëndrueshme me ekspertë të mëdhenj botërorë.

“Ka shumë mënyra se si mund të shikojmë marrëdhënien tonë, por besimi i ndërsjellë është më i rëndësishmi”, -tha ai, duke theksuar nevojën për investime të gjelbra pasi mjedisi është e ardhmja.

Këshillat e qytetit kinez të Hefeit, kryeqendra e provincës Anhui të Kinës lindore, dhe qyteti spanjoll i Salamanca ishin ndër organizatorët kryesorë të forumit, në të cilin përfaqësuesit e të dy qyteteve nënshkruan një deklaratë zyrtare bashkëpunimi.

Veprimtaria u mbështet nga Ambasada Spanjolle në Kinë dhe Ambasada Kineze në Spanjë, ku morën pjesë të dy ambasadorët. (Irma)