Foto nga VCG

Rregullatori kanadez i barnave njoftoi se ka autorizuar përdorimin e vaksinës anti-Covid “Moderna Spikevax” për fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç.

Kjo është vaksina e parë për Covid-19 e autorizuar në Kanada për përdorim në këtë grupmoshë, njoftoi “Health Canada” në një deklaratë, citon “Xinhua”.

“Health Canada”, e cila mori një aplikim nga “Moderna” për të zgjeruar indikacionin e “Spikevax” më 29 prill 2022, autorizoi fillimisht vaksinën për përdorim te personat 18 vjeç e lart në dhjetor 2020 dhe më pas u autorizua për fëmijët 12 deri në 17 vjeç në gusht 2021 dhe fëmijët nga 6 deri në 11 vjeç në mars 2022.

Sipas deklaratës, “Health Canada” autorizoi një seri primare me dy doza prej 25 mikrogramësh secila, me dozën e dytë që do të administrohet 4 javë pas të parës.

Kjo është gjysma e dozës së autorizuar për fëmijët nga 6-11 vjeç dhe një e katërta e dozës së autorizuar për personat mbi 12 vjeç.

Prova klinike tregoi se përgjigja imune ndaj “Spikevax” te fëmijët 6 muaj deri në 5 vjeç ishte e krahasueshme me atë te personat 18-25 vjeç nga një studim i mëparshëm.

Efikasiteti u vlerësua kur Omicron ishte varianti mbizotërues i Covid dhe vaksina tolerohej mirë, bëri të ditur “Health Canada”. (Irma)