Foto nga VCG

Presidenti italian Sergio Mattarella refuzoi kërkesën për dorëheqje nga kryeministri Mario Draghi.

Draghi vendosi të japë zyrtarisht dorëheqjen pasi forca e dytë më e madhe në koalicionin e tij, Lëvizja Pesë Yjet (M5S),bojkotoi një votëbesim mbi projektligjin e ndihmës të qeverisë për të luftuar çmimet në rritje në Senat, bën të ditur “Xinhua”.

Në një deklaratë zyrtare pas takimit, zyra e pallatit presidencial “Quirinale” njoftoi se presidenti nuk e ka pranuar dorëheqjen.

Mattarella ftoi Draghi-n të paraqitet para Parlamentit për të dhënë llogari në mënyrë që të kryhet një vlerësim i situatës së krijuar nga seanca e zhvilluar pranë Senatit.

Draghi tani pritet t'i drejtohet dhomës së ulët dhe Senatit të mërkurën e ardhshme, sipas mediave lokale.

Kriza shpërtheu pas javë tensionesh në rritje brenda koalicionit të gjerë që mbështet qeverinë e unitetit kombëtar të Draghi-t, e cila u formua në shkurt 2021.

Pasi M5S refuzoi të merrte pjesë në votimin e besimit të enjten, Draghi mblodhi kabinetin dhe njoftoi zyrtarisht ministrat e tij se do të jepte dorëheqjen, duke thënë se shumica që kishte mbështetur qeverinë që nga krijimi i saj nuk ekziston më. (Irma)